Si po iu qaset ​Kosova të kthyerve nga Siria dhe Iraku?

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot prezanton raportin hulumtues “Përmbledhje e qasjes së Kosovës në deradikalizimin dhe ri-integrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak”.

Marketing

Ky hulumtim është zhvilluar në kuadër të projektit “Analizimi i procesit të riintegrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet” i përkrahur nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI).

Ky raport bën analizimin e procesit të riintegrimit për qytetarët e kthyer nga konflikti i Sirisë dhe Irakut dhe përmbledh sfidat e identifikuara në këtë proces.

Në raport ofrohet një pasqyrë e gjendjes aktuale të procesit të riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe gatishmërinë e komunitetit për t’i pranuar si dhe analizohet roli i aktërëve institucionalë dhe qasja e shoqërisë civile në këtë proces.

Për më tepër, përmes këtij raporti bëhet analizimi i praktikave rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe identifikimi i modeleve adekuate të cilat potencialisht mund të aplikohen në Kosovë.

Sipas QKSS, ky projekt hulumtimi është gjithashtu njëri ndër aktivitetet e parapara në planin e veprimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

QKSS thotë se projekti ka ofruar mbështetje në këtë strategji dhe planin e veprimit të saj për periudhën e vitit 2019. Aktivititetet e projektit janë implementuar në komunën e: Gjilanit, Kaçanikut, Prizrenit, Prishtinës dhe Mitrovicës, të cilat kanë qenë gjithashtu fokus i raportit hulumtues.

Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë akterët lokalë nga komunat e mbuluara përmes projektit, përfaqësues të organizatave joqeveritare, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit, përfaqësues të mediave, përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe ushtarake në Kosovë etj.

Përveç prezantimit të raportit, pjesëmarrësit do të kenë rastin të zhvillojnë diskutim publik mbi procesin e riintegrimit të të kthyerve nga konflikti i Sirisë dhe gatishmërinë e komunitetit për ti pranuar ata në komunitetet përkatëse.