Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, për të diskutuar planin amerikan të paqes për Lindjen e Mesme.
Netanyahu bëri një ndalesë në kryeqytetin rus, më 30 janar, pasi vizitoi Uashingtonin, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli propozimet e tij të shumëpritura për paqen mes Izraelit dhe palestinezëve.
Plani u mirëprit nga lideri izraelit, por u përshëndet me gjakftohtësi në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Iniciativa u prit me zemërim nga palestinezët dhe u hodh poshtë nga disa vende myslimane.
Netanyahu e përshkroi vizitën e tij në Moskë, si simbol të “forcimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve” dhe tha se ai dëshironte të dëgjonte “pikëpamjet” e liderit rus për planin e paqes së SHBA-së.
“Ju jeni lideri i parë me të cilin po flas për Marrëveshjen e Shekullit të Trumpit, pas vizitës sime në Uashington”, tha ai.
“Unë mendoj se ekziston një mundësi e re, mbase edhe unike”, shtoi Netanyahu.
Plani i Trumpit i ofron Izraelit kontroll mbi vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Luginën strategjike të Jordanit si dhe shpall Jerusalemin si “kryeqytetin e pandarë të Izraelit”.
Dokumenti gjithashtu flet për mundësitë e krijimit të shtetit palestinez me kryeqytet në një pjesë të Jerusalemit lindor, por vendos një seri kushtesh që duhet të përmbushen nga palestinezët.
Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, menjëherë e hodhi poshtë planin si shumë pro-izraelit dhe tha se do të preferonte të vazhdonte bisedimet e paqes me ndërmjetës neutral.
Palestinezët kanë thënë se ata nuk e konsiderojnë Uashingtonin si një lojtar të paanshëm në konfliktin që po zgjatë me dekada.
Ndërkohë Rusia, vitet e fundit, ka kërkuar një rol më të madh në rajon – edhe si një ndërmjetës – midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Putini u takua javën e kaluar me Netanyahu në Jerusalem dhe Abasin në Betlehem.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 29 janar tha se Rusia ishte “e gatshme të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha përpjekjet – të bëjë gjithçka që mundet – për të arritur një paqe në Lindjen e Mesme”.