Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, do të thërrasë seancë për miratimin e propozimit të mundshëm të pr/Ligjit për Prokurori Publike vetëm nëse palët arrijnë konsensus të gjerë, përkatësisht nëse sigurohen 80 vota për miratimin e tij.
Thotë se në Kuvend zyrtarisht nuk ka propozim ligj të ri veç propozim që ka ngecur në procedurë që nga mesi i vitit të kaluar.
“Parlamenti nuk punon me paralajmërime. Parlamenti punon nga parashtrimi konkret i propozimit konkret e tutje. Në bazë të paralajmërimeve nëse harmonizohen qëndrimet, nga momenti që parashtrohet propozimi nuk ka pengesë procedurale, sipas rregullores që seanca të konvokohet të njëjtën ditë. Në procedurë të shkurtuar është e mundshme që të miratohet ligji edhe në këtë afat para shpërbërjes.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ligji për mbrojtje i dëshirueshëm, jo kusht
Deri në shpërbërjen e Kuvendit mund të miratohet edhe Ligji për Mbrojtje, i cili është në procedurë parlamentare, por kryeparlamentari Xhaferi hodhi poshtë spekulimet se miratimi i këtij ligji është kusht për përmbylljen e procesit për anëtarësim në NATO.
“Askush nuk e ka vënë si parakusht faktin e miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Mbrojtje, por është e dëshirueshme e parapëlqyeshme që të miratohet ligji për shkak të procedurave të vendimmarrjes brenda institucioneve të NATO-s për çështje të misioneve që ka NATO. Dhe, ndryshimet parashohin që kompetencat që i ka sot Parlamenti për vendimmarrje për pjesëmarrje në misione të NATO-s të barten në Qeveri, për shkak të shpejtësisë së vendimmarrjes që i ka procedura qeveritare kundrejt procedurave parlamentare.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi njoftoi se Kuvendi do të ratifikojë protokollin e kushtëzuar për anëtarësim në NATO, më 11 shkurt, para shpërbërjes, pasi vlerësohet se gjasat janë të pakta që Spanja ta ratifikojë para kësaj date.
Ratifikimi bëhet me shumicë të thjeshtë, përkatësisht me përkrahjen e 61 deputetëve. Shpërndarja e Kuvendit do të ndodh më 12 shkurt nuk përjashtohet mundësia që po atë ditë Xhaferi të shpall edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të paralajmëruara për më 12 prill.