Haradinaj: Jemi opozitë – s’votojmë ndonjë qeveri këtë të hënë

Kryetari i AAK-së dhe njëherit kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka konfirmuar edhe njëherë se partia e tij nuk do ta votojë qeverinë e Albin Kurtit në seancën e të hënës.

Marketing

“Është caktuar seanca për shkak se kryhet edhe afati kohor, sepse data 3 shkurt është dita e fundit kur do të mund të mbahej seanca për votimin e qeverisë”.

“AAK nuk është pjesë e ndonjë marrëveshje politike dhe nuk voton ndonjë qeveri këtë të hënë. Ne jemi opozitë dhe nuk e votojmë qeverinë”.

Ai ka thënë se nuk e di nëse do të ketë një qeveri të pakicës, prandaj edhe nuk mund të komentojë se a do të jetë funksionale ose jo.

Haradinaj këto komente i ka bërë pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në 23 vjetorin e rënies së tij dhe dy bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

“Sot është përvjetori i rënies së tre heronjve të Kosovës – Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha – që janë edhe themelues të UÇK-së, por edhe luftëtarë të zotë. Komandanti Zahir Pajaziti, si një nga themeluesit e UÇK-së, e ka lënë pas vetes shembullin e një luftëtari të zotë dhe bashkëluftëtari të mirë. E nderojmë përjetësisht!”.