Pavarësisht vendimit të djeshëm të OBSH ku shpalli rrezik botëror virusin Korona, autoritetet në vend thonë se jemi larg rrezikut nga virusi vdekjeprurës dhe se deri tani asnjë shtetas i Maqedonisë që ndodhet jashtë kufijve nuk është i rrezikuar apo i dyshuar si i prekur nga ky virus. Pas takimit me Komisionin për sëmundje ngjitëse, ministri i Shëndetësisë Filipçe, tha se pos masave të vendosura në Aeroportin e Shkupit, masa informative do të zbatohen edhe nëpër kalimet kufitare.
“Ende vlejnë të gjitha masat që implementohen në aeroportin e Shkupit, do të distribuohen materiale informative edhe në vende tjera si stacionet policore, doganat dhe kalimet tjera kufitare. Gjatë ditës do të organizohen takime edhe me organizata tjera si ministria e Brendshme, doganat e Qendrën për menaxhim me kriza që t’i informojmë për hapat tonë dhe për nevojën derisa ekziston për tu intervenuar – deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.