Deskoska: Partitë politike nesër deri në orën 12 të parashtrojnë amendamente

Nesër deri në orën 12 partitë politike të parashtrojnë amendamente, ndërsa pastaj me siguri më së voni deri të hënën do të caktohet takim i ri, në të cilin do të bisedohet cilat nga amendamentet do të pranohen. Këtë e potencoi ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska pas përfundimit të takimit të sotëm të grupit punues të pushtetit dhe opozitës për ligjin e prokurorisë publike, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga LSDM-ja, BDI-ja, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Grupi i deputetëve të pavarur i VMRO-DPMNE-së.

Marketing

Deskoska tha se VMRO-DPMNE në takim nuk ka parashtruar amendamente, por kanë lexuar vërejtje prej ekspertëve të ndryshëm që kanë dalë prej debatit publik.

“Ne gjithashtu kemi hapur edhe debat për interpretimin e qëndrimeve të caktuara të ekspertëve dhe kemi parë që ekziston lexim i ndryshëm i qëndrimeve të caktuara, kështu që u kërkua prej tyre të përgatisnim amendamente ashtu si edhe grupet tjera politike që i dorëzuan dhe këtë ta bëjnë deri nesër në orën 12”, tha Deskosa.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski propozon Ministria e Drejtësisë t’i thërras ekspertët ligjor të cilët kanë dhënë mendime për ligjin dhe me ato të përpilohen amendamente. Ai tha se janë të përgatitur për takime të reja.
VMRO-DPMNE, siç deklaroi pas takimit Milloshoski, nuk e ka për qëllim të luaj rolin e ekspertit dhe për këtë përparësi u jep ekspertëve ligjor. Vlerëson se amendamenti i përgatitur prej ekspertëve është më i mirë nga amendamentet e partisë politike.

Takimi i sotëm vijon pas debatit publik dyditor në të cilën përfaqësues të partive politike dhe ekspertë nga kjo fushë kishin mundësi t’i shprehin vërejtjet e tyre. Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se një pjesë e tyre do të inkorporohen në zgjidhjen e propozuar ligjore e cila duhet të jetë në seancë kuvendore nëse partitë politike sot i harmonizojnë qëndrimet.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dje deklaroi se nëse deri në Parlament dorëzohet i harmonizuar Propozim-ligji për prokurorinë publike dhe me përmbajtje dhe me shumicë të dakorduar, ai menjëherë do të vendoset në seancë kuvendore.
“Ka mundësi të tillë rregulloreje”, deklaroi Xhaferi në takim me gazetarët, duke shtuar se gjithçka varet nga vullneti i përbërjes parlamentare.

Për domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për Prokurorinë Publike bënë thirrje edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Propozim-ligji i ri për Prokurorinë Publike pritet të miratohet deri më 12 shkurt, kur duhet të shpërbëhet kjo përbërje kuvendore. Për miratimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.