Shqiptarët kanë prejardhje maqedonase? Teksti i gjeografisë me fakte të shtrembëruara historiografike

Libri “Gjeografia e vitit të dytë të gjimnazit të reformuar”, ka 10 vjet që është i botuar, por shumë njësi mësimore profesorët i anashkalojnë, pasi siç thonë ato janë me fakte të shtrembëruara gjeografike dhe që nxisin urrejtje ndëretnike.

Marketing

Në këtë libër, nxënësit mësojnë se:

Shqiptarët kanë qenë maqedonas, por në kohën e sundimit osman janë bërë shqiptarë dhe shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romët dhe turqit. (8668)
Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780. (8669)
Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. (8670)
Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia. (8677)
Sipas profesorit të Gjeografisë në gjimnazin “Zef Lush Marku”, Burim Aliu përmbajtja e këtyre librave nxit edhe urrejtjen ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

“Unë kur i shoh këto njësi mësimore, i anshkaloj ose të themi nuk i spjegoj. U them nxënësve, se atë që është, sidomos për shqiptarët, ju tregoj ku janë dhe çfarë janë gjërat në përgjithësi. Më e keqja është se kjo hyn te ne si një urrejtje. Çfarë të themi te pala tjetër, kur edhe nxënësit maqedonas i përdorin ato libra”, deklaroi Aliu.

Libri që e kemi në duar është ribotuar në vitin 2009, sepse siç tha profesiori Aliu i njëjti libër për të parën herë është botuar në vitin 2002. Të njëjtën e thanë edhe të rinjtë e Tetovës në emisionin “Click plus”.

“Gati se 16 vite përdoret i njëjti term për shqiptarët, se shqiptarët janë ardhacakë dhe nëse doni unë ua lexoj. Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten autokton, kryesisht ato janë popullsi maqedonase, që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar”, theksoi Ardonit Ismaili, nxënës.

Për të ardhur deri te korrigjimi i librave, duhet të formohet komision në kuadër të Byrosë së arsimit dhe Shkencës. Mirëpo, profesori Aliu i cili është edhe në Komisionin për librat e Gjeografisë, thotë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë inciativë në këtë drejtim.

“Tash ne po presim përgjigje prej Byrosë së arsimit”, deklaroi Aliu.

Por nuk mjafton vetëm korrigjimi. Sipas nenit 14 të Ligjit për tekste shkollore në rast se korrigjimi përfshin 30 përqindëshin e materialit, duhet të përpilohet plan-program i ri i asaj lënde mësimore. Këtu hyn edhe ky libër i gjeografisë. Por, për shkak se ky tekst shkollor përmban ofendime, duhet të tërhiqet nga përdorimi. Kjo parashihet edhe me nenin 26 të ligjit për tekste shkollore.

Në nenin 26 nga Ligji për tekste shkollore shkruan: “Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi edhe nëse përmban materie me të cilën ofendohet historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë”.

Pyetëm ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi se pse këto gabime nuk po përmirësohen!

“Janë formuar komisione ndërshtetërore me çka po analizohen, po shqyrtohen programet mësimore dhe kur do të kemi një produkt final nga komisionet, edhe në aspektin internal do të shqyrtohet përmbajtja e programeve mësimore dhe e vetë teksteve shkollore dhe do të ndërmarrim hapa në atë drejtim për të evituar edhe ato pjesë dhe ato përmbajtje të cilat janë të pavërteta ose në aspekt profesional nuk janë të sakta”, deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Nga ana tjetër, Komisionet ndërshtetërore kanë njoftuar se shumë ngadalë janë duke i zhvilluar aktivitetet. Ai me Bullgarinë ka ngecur në pjesën e historisë së Goce Dellçevit, dhe për një kohë do të pauzojë, kurse edhe ai me Greqinë është larg epilogut. Në këtë mënyrë, ky libër do të vazhdojë të jetë në përdorim.