Ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev së bashku me ambasadorët e vendeve, nëpunësit policorë e të cilëve marrin pjesë në operacionet e përbashkëta në kufirin jugor, sot i vizituan vendkalimin kufitar Bogorodicë dhe qendrën e përkohshme transite në Gjevgjeli.
Në takimin me udhëheqësinë e vendkalimit kufitar Bogorodicë, ministri Çulev u njoftua me gjendjen me migracionin ilegal dhe statistikën lidhur me kontrabandimin e emigrantëve.
“Theksi u vendos në bashkëpunimin me nëpunësit e huaj policorë, të cilët së bashku me nëpunësit tonë policorë janë angazhuar në sigurimin e kufirit dhe të cilët japin kontribut të madh në ballafaqimin me këto probleme”, kumtoi sot MPB-ja.
Në këtë moment në kufirin tonë jugor, përfundimisht me 1 shkurtin, ka 141 nëpunës policorë të sistemuar nëpër stacione policore për kontrolle mjekësore dhe mbikëqyrje kufitare në Bogorodicë, Dojran të Vjetër dhe Mexhitli.
Gjatë vizitës në qendrën transitore në Gjevgjeli, ministri Çulev u njoftua me gjendjen momentale, me gjendjen me migracionin ilegal, si dhe me mënyrën në të cilën funksionojnë operacionet e përbashkëta në kufirin jugor.
Në luftën me emigracionin ilegal, tha Çulev, krahas nëpunësve tanë policorë, kontribut të madh japin edhe nëpunësit policorë nga Austria, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia, të cilët aktivisht marrin pjesë në operacionet e përbashkëta në kufi, që si projekt është vazhduar deri 31.08.2020, respektivisht deri te operacionizimi i Marrëveshjes me FRONTEKS, falë Bashkimit Evropian dhe IOM-it.
Ministri Çulev dërgoi falënderim të posaçëm deri te të gjithë pjesëmarrësit në projekt, posaçërisht të nëpunësve të huaj policorë, të cilët disponojnë me dituri të lartë dhe profesionalizëm në punë.