As kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e as presidenti i këtij vendi, Ilir Meta, nuk e kanë përshëndetur formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Përkundër kësaj, ambasadorët e QUINT-it përgëzuan popullin e Kosovës për formimin e qeverisë, derisa u shprehën të gatshëm për bashkëpunim me institucionet e reja, shkruan lajmi.net.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, po ashtu ka uruar zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.
Në anën tjetër, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës për krijimin e legjislaturës së shtatë.
Përkundër këtyre, Tirana zyrtare ka heshtur sonte dhe nuk e ka përshëndetur krijimin e qeverisë së Kosovës dhe zgjedhjen e Albin Kurtit, kryeministër.
Kurti ka proklamuar me vite idenë e bashkimit gjeografik, administrativ, e ekonomik të Kosovës me Shqipërinë. Madje, më zëshëm se kurrë Kurti bënte thirrje për Bashkim Kombëtar.
Kryeministri i ri i Kosovës nuk pranonte simbolet shtetërore kosovare para zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019-ës, duke u mbështetur në emblemën e Shqipërisë.
Shkëndijat e para të pranimit të simboleve kosovare nga kryeministri Kurti, u shfaqën përgjatë pranisë së këtij të fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” përgjatë ndeshjes së kombëtares së Kosovës me Malin e Zi.
Ndërsa, sa i përket idesë së Bashkimit Kombëtar e cila gjatë fushatës zgjedhore u hesht, Kurti deklaroi se nuk po heq dorë por duhet kohë që kjo të ndodhë.
Vlen të theksohet se marrëdhëniet e Kurtit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama nuk janë të mira qe një kohë të gjatë.