Sela vizitoi Gjykatën e Lartë Administrative

Drejtori Sela vizitoi Gjykatën e Lartë Administrative
Sot, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës së RMV-së (AZGJ), Ylber Sela, i shoqëruar nga ekipi i tij, vizitoi Gjykatën e Lartë Administrative (GJLA), ku u takua me kryetaren e saj, Ismeta Amet, dhe gjykatësin Subhi Jakupi.
Në takim u diskutua për nivelin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në këtë institucion gjyqësor. Kryetarja Amet dhe gjykatësi Jakupi e informuan drejtorin Sela për sfidat me të cilat përballet institucioni, duke theksuar se ka mungesë personeli për përkthimin e dokumenteve zyrtare, por që janë ndërmarrë veprime për të ndryshuar tabelën dhe vulat.
Ata deklaruan se në bashkërendim me Këshillin Gjyqësor të RMV-së do të ndërmarrin veprime për të zbatuar dispozitat ligjore që lidhen me përdorimin e gjuhëve zyrtare edhe në procedurat gjyqësore.
Drejtori Sela shprehu gatishmërinë për të mbështetur gjykatën në realizimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve në procedurat për të cilat ky institucion është kompetent.

Marketing