Prej kohësh po përflitej nga mediat italiane rreth një stadiumi të ri që do të ndërtohet në Milano për dy ekipet emblemë të Italisë dhe jo vetëm si Interi dhe Milani.
Nga një event bamirësie ku po merrte pjesë, kryetari i bashkisë së Milanos Giuseppe Sala ka folur edhe për projektin e stadiumit të ri, që kanë zhvilluar dy klubet e qytetit, por që nuk ka gjetur ende miratimin e autoriteteve vendore. Sala tha se bisedimet kanë avancuar dhe se me modifikimet e bëra në projekt, ku është përjashtuar shembja e “San Siros”, palët janë më pranë një marrëveshjeje, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.
“Projekti i ri për stadiumin po më pëlqen dhe besoj se tani jemi pranë një marrëveshjeje. Nuk është problem bujarie, por duhet të respektojmë rregullat administrative të qytetit dhe t’i vëmë klubet në kushte të barabarta me të tjerë që duan të investojnë në projekte të rëndësishme në qytet”, deklaroi Sala.