Stano: Emërimi i të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi është ide

Emërimi i një të dërguari të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi nuk është përfundimtar, por një ide që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e ka diskutuar me zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd, tha për gazetarët në Bruksel zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano.

Marketing

“Në takimet me bashkëbiseduesit e tij, Borrell e ka përmendur idenë që një zyrtar evropian të ngarkohet me agjendën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo ka qenë një nga shumë idetë që janë diskutuar me partnerët”, tha Stano.

Ai tha se nuk dëshiron t’i komentojë spekulimet në mediat lokale rreth të dërguarit të BE-së, duke shtuar se është “shumë herët të flitet për statusin, gradën apo emrin e atij personi”.

Borrell, javën e kaluar, ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të angazhohet më shumë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë emëruar të dërguarit e tyre të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky proces, që ka nisur në vitin 2011, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ndërsa ka pasur mbështetjen e SHBA-së.