Sinjale pozitive vijnë nga Franca sa i përket negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Qeveria franceze tha se do të mbështesë një draft-reformë për mënyrën se si Brukseli do të menaxhojë negociatat me shtetet kandidate, potencialisht duke i hapur rrugën hapjes së bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin.
Sipas asaj që raporton media ndërkombëtare “Politico”, ministrja franceze për BE-në, Amelie de Montchalin, kërkon që reforma duhet të adoptohet përpara se të jepet drita jeshile për të dyja vendet muajin e ardhshëm.
“Në bazë të situatës që do të raportojë Komisioni Europian në mars, ne duhet të sigurohemi që kushtet janë përmbushur”, citohet të thotë De Montchalin.
Plani i ri për metodologjinë e zgjerimit do të prezantohet të mërkurën në Bruksel nga Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi.
Ministrja franceze tha se ka pasur një bisedë shumë konstruktive me zyrtarin e Brukselit, por kërkoi që procesi i integrimit të jetë i kthyeshëm.
Ndërsa, saktësoi se drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të varet vetëm nga plani reformues. De Montchalin theksoi se vendimi i Francës do të ndikohet edh nga progresi në të dyja vendet dhe reformat e zbatuara.
Sa i përket çështjes së negociatave, “Financial Times” publikoi një shkrim në të cilin theksohet se plani i ri i BE-së për zgjerimin do të përfshijë investime dhe integrim të afërt me politikat, tregjet dhe programet e Bashkimit Europian. Gjithashtu media ndërkombëtare thekson se reforma e re e Brukselit shton shanset për një dritë jeshile për negociatat me Tiranën dhe Shkupin./ A2 CNN