Apple gjobitet pasi ngadalësoi modelet e vjetra të iPhone

Gjigandi i teknologjisë, Apple është gjobitur së fundmi 25 milionë euro për ngadalësim të qëllimshëm të modeleve të sajë të vjetra të iPhone-ëve pa informuar më parë klientët.

Marketing

Gjoba është vendosur nga autoriteti francez i mbikëqyrjes duke thënë se kompania duhet të kishte paralajmëruar klientët se pajisjet e tyre do të ngadalësoheshin pas përditësimit të sistemit të operimit.

Konkretisht përdoruesit e iPhone “nuk ishin të informuar se instalimi i përditësimeve të iOS (10.2.1 dhe 11.2) mund të ngadalësonte pajisjet e tyre”.

Si pjesë e marrëveshjes, Apple duhet të shfaqë një njoftim në faqen e tij në gjuhën frënge për një muaj.

Autoriteti mbikëqyrës francez thotë se Apple “kreu krimin e praktikës mashtruese tregtare me anë të mosveprimit” dhe kishte pranuar të paguante gjobën.

Shumë klientë kishin dyshuar prej kohësh se Apple ngadalësoi iPhone-ët e vjetër për të inkurajuar blerjen e modeleve të reja.

Në vitin 2017, kompania konfirmoi se kishte ngadalësuar disa modele të vjetëra, por jo për të inkurajuar njerëzit që të blinin modelet e reja.

Ata thanë se bateritë e pajisjeve u bëheshin më pak të afta për të furnizuar kërkesat me energji të pajisjes, pasi ato vjetrohen me kalimin e kohës.

Kjo mund të rezultojë në fikjen e papritur të një iPhone për të mbrojtur përbërësit e tij elektronikë.

Kështu, në 2017 kompania lëshoi një përditësim të sistemit operativ për iPhone 6, iPhone 6s dhe iPhone SE i cili “zbuti” performancën e baterisë.