Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar se në Klinikën Infektive është shtruar një paciente, e cila mund të jetë e prekur nga koronavirusi. Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.
Rasti është konfirmuar nga Lendita Berisha, drejtoresha e Klinikes Infektive.
Sipas mjekëve të QKUK’së, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë.
Mjekët kanë bërë të ditur se pacientja, pasi i është shfaqur një kollë, ka shkuar në spital për t’u kontrolluar.
Ajo kishte qëndruar në një qendër për ski jashtë Kosovës, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi.
Për rastin ka folur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).
“Posa i morëm informatat e para, mostrat janë dërguar menjëherë në laborator. Sidoqoftë, për pacienten që është shtrirë, janë marrë të gjitha procedurat izoluese, nëse ajo del pozitiv me koronavirus. Në mesnatë dihet rezultati për pacienten”, ka njoftuar mjeku Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).
“Bëhet fjalë për një shtetase të huaj në Kosovë, që ka qëndruar në një qendër skijimi me pesë të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë infektuar me koronavirus”, ka thënë Vitia.
Numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 185 555, ndërsa numri i atyre që dyshohet se janë të infektuar është 27 657.
Gjithashtu numri i personave të infektuar jashtë territorit kryesor të Kinës ka arritur në 26 në Hong Kong dhe 10 në Makau.
Thuhet se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët e natës.
Përveç se në Kinë, virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.
Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga Ëuhan-i, epiqendra e virusit dhe zona të tjera të prekura të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur epideminë emergjencë ndërkombëtare.