Koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski përmes një intervenim procedural kërkoi nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi që propozim ligjin për Prokurorinë publike ta kthej sërish në Qeveri sepse sipas tij është bërë shkelje e rregullores për punën e Qeverisë.
“Shoh se ministrja kishte disa paqartësi duke theksuar se problemi qëndron tek Kuvendi. Z. Xhaferi ju duhet ta ktheni këtë material sepse Qeveria nuk ka vendim që ta kthej këtë material dhe as ka vendim që ta dorëzoj sërish në kuvend. Në këtë formë ju zoti Xhaferi bëheni pjesë e shkeljes së rregullores. Ligji nuk mund të votohet pa vendim të qeverisë, nuk kemi vendim as për tërheqjen e as për dorëzimin në Kuvend”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Pas kësaj ministrja e drejtësisë elaboroi nevojën e miratimit të Ligjit në fjalë me procedurë të shkurtuar, pas çka pasoi edhe votimi, me çrrastë 63 deputetë votuan për dhe 32 deputetë kundër.
Gjatë kësaj seance deputetët votuan edhe nevojën për miratimin e ligjit me procedurë të shkurtuar për Këshillin e Prokurorëve. Për këtë propozim pro votuan 59 deputetë, derisa kundër ishin 32.
Pas kësaj Xhaferi propozoi rendin e ditës dhe iu dha mundësi deputetëve për plotësimin e rendit të ditës. Me këtë rast deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski kërkoi që këto dy ligje të tërhiqen nga rendi i ditës. Propozimi i Dimovskit me 57 vota kundër dhe 32 për u hodh poshtë nga ana e deputetëve.
Pas kësaj deputetët me 60 vota për dhe 34 kundër votuan rendin e ditës dhe Ligji kështu kaloi në komisionin për çështje evropiane, ku nuk përjashtohet mundësia e parashtrimit edhe të amendamenteve.