U refuzohet azili në vendet e BE, riatdhesohen 40 shqiptarë nga Franca dhe Belgjika

Policia kufitare dhe Frontex kanë riatdhesuar nga Franca dhe Belgjika 40 shtetas shqitparë, të cilëve i është refuzuar azili në këto vende.

Marketing

Në një njoftim, policia thotë se me anë të një fluturimi me charter, të nisur nga Lille, u riatdhesuan 34 shqiptarë nga Franca dhe 6 nga Belgjika.

Prej 1 janarit 2020 e deri sot janë riatdhesuar 808 shtetas shqiptarë, të kthyer deportiv dhe të riatdhesuar nëpërmjet fluturimeve me charter, në bashkëpunim me Frontex-in, të cilët kanë pasur si qëllim kërkimin e azilit në vendet e BE-së.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Schengen që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero.