Të enjten, parlamenti i Sirisë, njohu si gjenocid vrasjen e deri në 1.5 milion armenëve nga ana e Preandorisë Osmane, gjatë viteve 1915-1917.
Vendimi vjen në kohën kur tensionet me Turqinë janë në pikën më të lartë, për shkak të luftimeve në verilindje të Sirisë.
“Parlamenti njeh dhe dënon gjenocidin e kryer kundër armenëve nga shteti otoman në fillim të shekullit XX”, tha parlamenti në një deklaratë.
Turqia është njëri nga akterët kryesorë në konfliktin sirian, pasi mbështet forcat rebele që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Asad.
Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.
Shumë historianë dhe disa vende të tjerë e konsiderojnë masakrën si gjenocid.
Turqia, një anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i grindjeve civile sesa një përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët.
Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 30 tetor, Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar me shumicë votash një rezolutë, që e njeh si gjenocid masakrën ndaj armenëve në Perandorinë Osmane në fillim të shekullit të 20-të.