Kryeministri Boris Johnson lajmëroi për riorganizimin e qeverisë së tij të enjten, në përpjekje për të forcuar kontrollin e tij në pushtet. Kreu i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar po kërkon një ekip që do ta ndihmojë atë të japë vizionin e tij për Brexit.
Por në një veprim të befasishëm, Ministri i Financave i Britanisë, Sajid Javid, paraqiti dorëheqjen e tij vetëm disa javë pas Brexit dhe një muaj para se ai do të prezantonte buxhetin vjetor të qeverisë. Ministri i financave, i njohur në Mbretërinë e Bashkuar si Kancelar, është një nga pozicionet më të fuqishme të vendit.
Një burim i afërt me Javid i cituar nga agjensia e lajmeve Reuters tha se Javid dha dorëheqjen pas një përplasjeje me Boris Johnson. Sipas tij kryeministri i tha Javidit se, për të mbajtur postin e kabinetit, Javid do të duhej të shkarkonte ekipin e tij të këshilltarëve dhe t’i zëvendësonte ata me këshilltarë nga zyra e Johnson.
“Kancelari tha që asnjë ministër që respekton vetveten nuk do t’i pranojë ato kushte,” tha burimi për Reuters.
Duke kërkuar të minimizojë çdo ndërprerje nga riorganizimi i kabinetit, Johnson shpejt njoftoi emërimin e zëvendësit të Javidit, Rishi Sunak, si zëvendësues. Megjithatë, largimi i befasishëm i Javidit bëri që vlera e paundit të pësonte rënie.
39-vjeçari Sunak kishte punuar në një moment si bankier për Goldman Sachs. Ai së pari hyri në Parlament pesë vjet më parë, duke e bërë ngjitjen e tij në një nga postet kryesore në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Sunak besohet të jetë një besnik i flaktë i Johnson-it.
“Kënaqësi që jam emëruar,” u tha Sunak gazetarëve jashtë ministrisë së financave të Britanisë pas shpalljes së vendimit.
Ndryshimi i kabinetit të Johnson përfshiu heqjen e Sekretarit të Biznesit Andrea Leadom, Sekretarit të Mjedisit Theresa Villiers dhe Ministrit të Strehimit Esther McVey, të gjitha gratë me profil të lartë në administratë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu ka shkarkuar Sekretarin e Irlandës Veriore Julian Smith, i cili ishte lavdëruar gjerësisht për ndihmën për t’i dhënë fund një bllokimi politik që la Irlandën Veriore pa një qeveri dhe asamble rajonale për tre vjet.
Midis anëtarëve të kabinetit që po mbanin postet e tyre ishin Sekretari i Jashtëm Dominic Raab, Sekretari i Brendshëm Priti Patel, Sekretari i Drejtësisë Robert Buckland dhe Ministri i Zyrës së Kabinetit Michael Gove.
Politikanët e opozitës britanike kritikuan riorganizimin e kabinetit të Johnson, duke thënë se ishte një rrëmujë.
“Ky është një rekord historik. Një qeveri në kaos brenda disa javësh nga zgjedhjet” tha John McDonnell, zëdhënës i financave për Partinë kryesore të opozitës së Laburistëve.