Ambasadori Grenell takon në Munih presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë

Ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, takoi mbrëmë në Munih presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Marketing

Të dy presidentët thanë pas takimeve se presin përmbylljen e kuadrit të një marrëveshjeje për linjën hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet teknike për të cilën janë zhvilluar muajin e kaluar me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell.“Ne do të lëvizim në marrëveshjet e reja pas arritjes së marrëveshjes për linjën fluturuese ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tash do të kemi edhe angazhimet tjera për linjën hekurudhore në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar, në nivel rajonal. Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediet, gjithë njerëzit që të arrijmë në marrëveshje finale, që nënkupton si dy vende të pavarura dhe sovrane në mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që e kemi një njeri dinamik, i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po ndodhin gjëra që të tjerët vetëm kanë mundur të imagjinojnë në dy dekadat e kaluara se mund të realizohen mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra për të investuar në paqe, progres, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha pas takimit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, vetëm pak ditë pasi që palët nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.Ambasadori Grenell, ngulë këmbë se përmirësimi i lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe hapja e vendeve të punës, do të ndihmojë tërë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e tarifave një kërkesë kjo që u ritheksua të enjten nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e re është zotuar ta bëj një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha pas takimit me ambasadorin Grenell se “biseda ishte e sinqertë por nuk ka bisedime të lehta për ne”. Ai tha se “është shumë e rëndësishme që amerikanët fuqishëm ngulin këmbë për heqjen e tarifave, menjëherë, që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet nesh dhe Prishtinës”.
Presidenti Thaçi, tha ndërkaq se Kosova do të ndërmarrë në ditët dhe javët e ardhshme veprime që do ta afrojnë edhe më tepër drejt NATO-s dhe BE-së.

“Në interes të Kosovës është që të ndërmerren veprimet që e lehtësojnë procesin e dialogut dhe jo që e vështirësojnë, që e lehtësojnë dialogun, por që e afrojnë me Shtetet e Bashkuara, BE-në dhe me NATO-n dhe jo veprime që duken në shikim të parë që sjellin ndonjë poen politik, por që rrezikojnë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në. Pra, Kosova do të lëvizë drejt një perspektive të sigurt me hapa strategjik dhe të koordinuar edhe me partnerët që e fituam edhe lirinë edhe pavarësinë që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, tha ai.

Ambasadori Grenell ka kërkuar ndërkaq nga Beogradi që të heqë dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.