Kreu i partisë Alternativa, parti kjo në koalicion qeveritar, kur janë pyetje pritjet e Ambasadës së Turqisë – rreshtohet të parët, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës – në pritjen e ambasadës së Republikës së Kosovës me rastin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë, asnjë zyrtarë nuk u pa aty. Partia e Afrim Gashit, edhe pse kishte pasur ftesë zyrtare, nuk ishte përfaqësuar në nivele sikurse partitë tjera.
Nga kjo parti i pranishëm në këtë pritje ka qenë Arjan Asllani, drejtor i shtëpisë Përkujtimorë “Nënë Tereza”- Shkup. Por nga Ambasada e Kosovës thonë për gazetën KOHA se Asllani ka qenë i ftuar si drejtor i Shtëpisë Përkujtimore “Nënë Tereza”, sikurse drejtorë tjerë të institucioneve publike, dhe jo si personalitet politik.
“Unë nuk mund askënd ta detyroj të vij me zor. Ne ju kemi bërë ftesë dhe çështje e tyre është nëse marrin pjesë. Për mos prezencën e tyre duhet t’i pyesni ata. Kabineti im i ka ftuar të gjithë. Për ne, të gjitha partitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të njëjta pa marrë parasysh a janë në pushtet, në opozitë, a janë parti të mëdha, apo të vogla. Ne nuk bëjmë asnjë dallim. Të gjitha partitë politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të ftuara. Kanë qenë të mirëseardhura dhe janë të mirë se ardhur. Ne si ambasadë nuk i shikojë përkatësitë partiake, as fetare dhe as etnike. Ne e përfaqësojmë shtetin e Kosovës në mënyrë dinjitoze dhe secili është i mirëseardhur kurdoherë”, deklaroi për gazetën KOHA, Gjergj Dedaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Shkup.
Në anën tjetër, nga Alternativa – edhe pse pranojnë se kanë pasur ftesë për pjesëmarrje, prezencën e tyre e arsyetojnë me pjesëmarrjen e drejtorit të Shtëpisë Përkujtimore “Nënë Terezë”, Arjan Asllani, edhe pse ai ka qenë i ftuar si drejtues institucioni. “Kemi pas ftesë. Në pritjen e Ambasadës së Kosovës ka pasur përfaqësues të Alternativës. Arjan Asllani, drejtor i Shtëpisë Përkujtimore ‘Nënë Tereza’ ka qenë i pranishëm”, deklaroi për KOHA, Orhan Murtezani, zëdhënës i Alternativës.
Por, ndryshe ishte më 29 tetor – në pritjen me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Turqisë. Nën patronazhin e ambasadores turke në Shkup, Tulin Erkal Kara, atëkohë në pritje kishin marrë pjesë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga ministri aktual i Kulturës, Hysni Ismaili, ndërsa kishte edhe ministra, deputetë, politikanë, myfti, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, biznesmenë, kryetarë komunash, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në ndërkohë, për dallim prej zyrtarëve të lartë të partisë së Gashit, në pritjen mbrëmshme të ambasadës së Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë kanë qenë të pranishëm eksponentë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, PDSH-së së Menduh Thaçit, si dhe liderët e dy partive opozitare ASH dhe BESA, Ziadin Sela e Bilall Kasami.