Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për qëndrimin refuzues të partisë opozitare Besa dhe ish partnerit tonë në qeverisje ASH si dhe opozitës maqedonase VMRO DPMNE, ndaj Ligjit për Prokurori të Përgjithshme, dhe fton këto tre parti që të rikonsiderojnë qëndrimin e tyre kundër këtij ligji dhe të votojnë për.
Ky ligj, bashkë me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve publik do të vulos datën për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian dhe asnjë parti nuk guxon të rrezikojë të ardhmën e sigurtë të vendit dhe të qytetarëve.
Të dy ligjet garantojnë edhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, zgjedhjen e prokurorëve me shumicë të dyfishtë si dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në prokurori.
Përgjegjësia e partive politike është shumë e madhe dhe përkrahja e këtyre ligjeve nga të cilat varet e ardhmja jonë Evropiane nuk guxon të jetë rast i oportunizmit të imtë partiak dhe antievropian.
Prioritet i BDIsë është drejtësia joselektive, vetingu, sundimi i mirëfilltë i ligjit, kthimi i besimit tek gjyqësori dhe prokuroria, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj dhe pa asnjë rezervë të vetme, BDI e përkrah këtë ligj si një përpjekje e rradhës për ti arritur të gjitha këto, por edhe për të hapur derën europiane për vendin tonë.