Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në Munih, në margjinat e Konferencës së 56-të të Munihut, realizoi takime dypalëshe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe me kryeministrin e Republikës së Armenisë, Nikol Pashinian.
Në takim me Kurtin, siç informoi kabineti i tij, presidenti Pendarovski dërgoi urime për zgjedhjet e realizuara me sukses parlamentare dhe për zgjedhjen e Qeverisë së re në Kosovë, që e drejton ai. Me këtë rast theksoi se vendi ynë pret me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës të përforcohet bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nënvizuar se në këtë mënyrë do të thellohen marrëdhëniet e mira fqinjësore të cilat kontribuojnë për progresin, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Presidenti Pendarovski theksoi se Kosova është një nga partneret më të rëndësishme tregtare të Maqedonisë së Veriut me ç’rast shkëmbimi tregtar zhvillohet lirshëm pa dogana dhe kontribuon për zhvillim të ekonomive të dy shteteve fqinje. Për vazhdimin e këtij trendi pozitiv, presidenti Pendarovski shprehu interesim për mbajtje të seancës së katërt të Komitetit të përzier për bashkëpunim ekonomik në periudhën që pason. Në takim është biseduar edhe për nisma të përbashkëta të ardhshme si pjesë e bashkëpunimit rajonal.
Në takim me kryeministrin e Republikës së Armenisë, Nikol Pashinian është shprehur kënaqësi nga vendosja e paradokohshme e marrëdhënieve diplomatike që paraqet kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe hap mundësi të reja për intensifikim të mëtutjeshëm të dialogut politik.
Presidenti Pendarovski e theksoi nevojën e vendosjes së kornizës së kontraktuar me të cilën dy vendet do të mund ta avancojnë dhe thellojnë bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë,. tregtisë, kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe fushave tjera të rëndësishme me interes të përbashkët.