Kurti: Kam rezerva për marrëveshjet sepse nuk kam qenë pjesëmarrës në negociata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha për Radion Evropa e Lirë se ka rezerva sa i përket nënshkrimit të dy letrave të shprehjes së interesit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për autostrada dhe hekurudha.

Marketing

Marrëveshja për autostrada dhe hekurudha u nënshkrua në Mynih më 14 shkurt dhe u ndërmjetësua nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Kurti thotë se për këto marrëveshje ka rezerva, pasi që nuk ka qenë pjesëmarrës në negociata.

“Unë vetëm po tregoj rezerva, për shkak se nuk kam qenë pjesëmarrës në negociata për këto letra të interesit. Natyrisht se ne na duhet lidhje, infrastrukturë më e mirë, autostrada dhe hekurudha. Por, sërish, punëtorët civilë që nënshkruan këto marrëveshje nisën negociatat gjatë qeverisë së kaluar dhe faktikisht i përmbyllën ato pa pjesëmarrjen tonë dhe ne jemi në qeveri për më pas se dy javë”, tha Kurti në një prononcim për REL.

Për palën kosovare, marrëveshjet për autostradën dhe hekurudhat i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, përveç ambasadorit Grenell, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes letrave të shprehjes së interesit për autostrada dhe hekurudha, të dy vendet shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

I pyetur se nëse kritikat e shprehura nga ai lidhur me marrëveshjet për autostrada dhe hekurudha kanë bërë që ambasadori Grenell të mos e takojë atë në Mynih, kryeministri Kurti thotë se komunikimi me amerikanët është i mirë dhe se gjatë qëndrimit në Mynih nuk ka qenë në plan që të takohet me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë.

“Më herët jam takuar me ambasadorin (Richard) Grenell dy herë, por jo kësaj here. Këtë herë kam qenë duke marrë pjesë në panel, në tryezë të rrumbullakët dhe ne nuk kemi pasur plane që të takohemi”.

“Po, për vete mund të konfirmoj për komunikimin tonë dhe gjithçka duket në rregull”, shtoi kryeministri Kurti.