Edhe Qeveria punëson ‘maqedonas’ të vetëshpallur si shqiptarë. Falë softuerit së tyre të quajtur “Balancer”, vendet e punës të rezervuara për shqiptarë, edhe në institucionin ekzekutiv, Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, ishin mbushur me të punësuar të cilët mbanin emra maqedonas por të cilët ishin deklaruar si shqiptarë të rrejshëm.
Mirëpo kjo problematikë pritet që të gjejë një zgjidhje edhe atë falë sekretarit shtetërorë në Ministrinë e shoqërisë informative dhe administratë Adem Avziu i cili zotohet që kësaj çështje t’i gjejë zgjidhje dhe problemi mos shfaqet në të ardhmen. Nga Ministria e Administratës theksojnë se për ta eliminuar këtë fenomen, kërkojnë që përkatësia etnike të vihet në certifikatën e nënshtetësisë.
“Më vjen keq që pala maqedonase për një vend pune është në gjendje që brenda 24 orëve me një deklaratë në noter të ndërrojë përkatësinë etnike. Ne si BDI dhe unë si sekretar shtetërorë do të angazhohemi që të sofistikojmë Balanserin që në të ardhmen mos të ketë hapësirë për keqpërdorime duke marrë parasysh edhe ndryshimet e nevojshme për dëshminë e etnitetit në nënshtetësi si dhe në letërnjoftimet e reja ku saktë do të përcaktohet etniteti i qytetarit”, kështu thekson sekretari shtetërorë Avziu i cili shton se me këtë rast inkurajon të gjithë anëtarët shqiptarë nëpër komisione për punësim që kandidatëve maqedonas t’iu bëjnë intervista në gjuhën shqipe.
“Inkurajoj dhe u bëj thirrje publike të gjithë anëtarëve shqiptarë të komisioneve për punësime që kandidatët maqedonas ose të tjerë të cilët deklarohen si shqiptarë lirisht mund t’iu bëjnë intervistë në gjuhën shqipe dhe të njëjtët nëse nuk mund të përgjigjen në gjuhën shqipe duhet të vlerësohen me pikë minimale”, sqaron mes tjerave Avziu.(koha.mk)