Mijëra qytetarë të Athinës, Selanikut e më gjerë kanë dalë në grevë kundër një propozimi për reformimin e sistemit të pensioneve dhe sigurimeve.
Një grevë 24-orëshe paralizoi të martën transportin hekurudhor, atë publik dhe shërbimet bashkiake në kryeqytetin e Greqisë.
Të paktën 10 mijë qytetarë demonstruan në shesh në mbështetje të Sindikatës së Punonjësve Civilë, spitalet reduktuan stafet ndërsa terminalet në portet e Pireusit, Lavrios dhe Rafinës u mbyllën.
Protesta u zhvilluan edhe në Selanik e në qytetet më të mëdha.
Aksioni pason propozimin e qeverisë së kryeministrit konservator Kyriakos Mitsotakis për të reformuar sistemin e pensioneve dhe të sigurimeve sociale.
Votimi në parlament është planifikuar të premten.
Nëse nisma kalon, forca punëtore e vendit pritet të qëndrojë më gjatë në shërbim por edhe të derdhë më pak kontribute në sistem.
Kundërshtarët shprehen se ligji është një vazhdim i politikave të shtrëngimit ekonomik të zbatuara për afro një dekadë në vitet 2010, kur Greqia do i drejtohej BE-së dhe FMN-së për të evituar falimentimin.
Ministria greke e punës thotë se ligji i ri e bën më të menaxhueshëm sistemin e pensioneve brenda vitit 2070, dhe parashikon rritje pensioni dhe penalitete më të ulëta për ata që zgjedhin të vazhdojnë punën pas pensionit.