Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka mbajtur një takim me lojtarët e ekipit të parë mbrëmjen e së martës, për t’i sqaruar akuzat se bordi e kishte punësuar një agjenci për marrëdhënie me publikun për të shpërndarë fjalë negative për legjendat e klubit.
Ky lajm ishte vetëm habia e fundit në një varg lajmesh tronditëse që e kanë kapluar Barcelonën në muajt e fundit, pas eliminimit nga Super Kupa e Spanjës, Kupa e Mbretit, shkarkimi i Ernesto Valverdes dhe zënka publike mes kapitenit Lionel Messi dhe drejtorit sportiv, Eric Abidal.
Trajneri Quique Setien e mbikëqyri seancën stërvitore në orën 18:00, me anëtarët e klubit si Guillermo Amor, Abidal dhe Ramon Planes të pranishëm në zyrat e klubit këtë mbrëmje.
Barça dhe Bartomeu e kanë mohuar se e kanë punësuar kompaninë “i3 Ventures” për të krijuar llogari në rrjetet sociale përmes të cilave do të njollosnin kundërshtarët e Bartomeut në klub.
Presidenti Bartomeu u pa duke shkuar në zyrat e klubit rreth orës 19:00, ku u takua me lojtarë të ekipit të parë, sipas MARCA.