Ministri i arsimit dhe shkencës,Atbër Ademi në pres konferencën e sotme në selinë e BDI-së në Shkup,tha se mësimdhënësit janë hallka më e rëndësishme në procesin arsimor të nxënësve. Prej tyre, respektivisht përkushtimit, motivimit për punë dhe kreativitetit të tyre gjatë kryerjes së detyrimeve të tyre të punës varet cilësia e gjeneratave që do të prodhohen (krijohen).
Pa mësimdhënës të kënaqur, sigurisht se nuk do të kemi arsim cilësor. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë çështje, prandaj gjatë dy viteve të kaluara u përpoqëm të rikthejmë dinjitetin e profesionit të mësuesisë. U zotuam që mësimdhënësit të marrin vendin e duhur në shoqëri dhe respektin që, në fakt, e meritojnë.
Plani ynë fillestar për mbështetjen e mësimdhënësve tashmë është realizuar plotësisht. Por, në periudhën në vijim do të punojmë edhe në zgjerimin shtesë të këtij plani dhe për mundësi të reja për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë.
Brenda një periudhë dyvjeçare pagat e mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme janë rritur për mbi 21%. Kjo është një rritje historike dhe ne mburremi për këtë fakt. Rritja e parë e pagave për mësimdhënësit ishte në shtator të vitit 2018 edhe atë për 5%, kurse në shtator të vitit të kaluar po aq u rritën pagat – pra 5%, kurse rritja e tretë e pagave prej 10% është realizuar sivjet, në janar të vitit 2020. Dhe, nëse flasim me shifra përmbledhëse, së bashku me nivelizimet vjetore të pagave, kemi rritje të pagave për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional për më shumë se 21%.
Ndërkohë që janë rritur edhe pagat për punonjësit e institucioneve të arsimit të lartë për 5% dhe së shpejti, pas gjetjes së një zgjidhjeje juridike, të njëjtit do të kenë rritje të pagës edhe për 10% – çështje kjo që tashmë është dakorduar. Sigurisht që edhe pagat e punonjësve në institutet shkencore janë rritur për mbi 30%.
Kur flasim me shifra konkrete, më duhet të them se rritje të pagave kanë pasur gjithsej 32.400 qytetarë, prej të cilëve 19.500 punonjës në shkollat fillore, 8.200 në shkollat e mesme, 4.500 në institucionet e arsimit të lartë dhe 220 punonjës në institutet shkencore publike.
Në këtë kontekst, më lejoni t’ju përkujtoj se është miratuar edhe Ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë në shkolla dhe ky ligj ndikon fuqishëm në motivimin për punë. Ky ligj për herë të parë siguron mundësi për avancim në karrierë në titujt mentor dhe këshilltar, sigurisht pas përmbushjes së kushteve të caktuara të mësimdhënësit respektivisht bashkëpunëtorit profesional dhe kjo nënkupton të hyra më të larta. Po aq e rëndësishme është edhe mundësia e garantuar në kuadër të ligjit për zhvillimin dhe përsosjen e vazhdueshme profesionale përmes trajnimeve të definuara në programet e akredituara.
Nëse kësaj i shtojmë edhe përpjekjet intensive për avancimin e kushteve për punë në shkolla (duke përmirësuar infrastrukturën, sigurimin e pajisjeve e kështu me radhë) jemi të bindur se do të vazhdojë të rritet motivimi për punë i mësimdhënësve e kjo do të ndikojë në krijimin (nxjerrjen) e gjeneratave që do të jenë gjithnjë më të mira se sa ato paraprake.
Ky përkushtim i ynë dhe këto rezultate janë garanci për synimet që do t’i kemi në fokus dhe që do t’i realizojmë në periudhën në vijim.
Të nderuar,
Me përkrahjen tuaj, BDI arriti të realizojë programin e vet në tërësi, atë që e themi, atë e bëjmë dhe ju falënderojmë për besimin e dhënë.
Ndërsa nga tani, angazhohemi bashkë për përmirësimin e cilësisë së jetës, bashkë për zhvillim dhe vende pune për të gjithë, bashkë për t’i dhënë fund drejtësisë joselektive nëpërmjet të vetingut, bashkë për rininë tonë si prioritet absolut i yni dhe bashkë në përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian.
Kemi bërë shumë punë, por edhe shumë punë kemi për të bërë.
Bashkë do t’i bëjmë të gjitha!