Grenell emërohet drejtor i Zbulimit Kombëtar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump konfirmoi se ambasadori amerikan në Gjermani, njëherësh i dërguar presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do të kalojë në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.

Marketing

“Jam i kënaqur të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtrues detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”, ka shkruar presidenti Trump në Twitter.
Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e nohura prej të cilave është Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA). Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Nuk është e qartë nëse ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani.

Sipas ligjit federal, afati i mandatit për një ushtrues detyre në agjencitë ekzekutive, i emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, është 210 ditë.

Pastaj, kërkohet miratimi i Senatit.