Filloi punimet konferenca shkencore për Ditën e Gjuhës Amtare

Sot në orët e pasditës, në hotelin “Holiday Inn” në Shkup u hap solemnisht Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV”, me organizim të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës të RMV-së me rastin e Ditës Botërore të Gjuhës Amtare.

Marketing

Hapjen e bëri drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, i cili u dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve duke u përqendruar shkurtimisht në punën e deritashme të institucionit të cilin e udhëheq, si dhe në qëllimin e mbajtjes së kësaj konference.

Në vazhdim, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri i RMV-së dhe ministri i Sistemit Politik dhe i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Sadulla Duraku, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.

Me këtë rast u nënshkruan edhe dy memorandume bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës të RMV-së të kryesuar nga drejtori Ylber Sela, dhe Universitetit të Evropës Juglindore të kryesuar nga rektori Abdylmenaf Bexheti, dhe Universitetit “Nënë Tereza” të kryesuar nga sekretari i përgjishshëm, Bujar Kajolli. Më herët, AZGJ-ja ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Sipas agjendës, konferenca në fjalë vazhdoi punimet me leximin e kumtesave lidhur me sfidat e përkthimit. Për këtë çështje folën Izer Maksuti nga Universiteti i Prizrenit dhe Ajtene Hajdari-Qamili nga Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”.
Konferenca i vazhdon punimet edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.