Vetëm 1% e qytetarëve nga Maqedonia fitojnë status azilanti në vendet e Europës

Agjencia Europiane për azil, EASO, në raportin e saj për vitin 2019të, ka konstatuar se për herë të parë është rritur numri i kërkesave për azil në BE, ndërsa rritje shënojnë persona nga vendet me të cilat BE-ja ende nuk i ka shlyer vizat, informon Zhurnal.

Marketing

Gjatë vitit 2019të janë dorëzuar mbi 714 mijë kërkesa për azil në BE, që është rritje prej 13 përqind në krahasim me vitin 2018të, dhe për herë të parë ka patur më tepër kërkesa se sa gjatë kohës së krizës së migrantëve në vitin 2015të.

Siç thonë nga EASO, rritja nuk ka të bëjë kryesisht me migrimin jo të rregullt por për aplikime nga vendet të cilat kanë regjim të lirë të vizave me Shengenin.

Pjesa më e madhe nga rritja vjen nga numri i madh i aplikantëve të cilëve nuk u nevojitet vizë për hyrje në shengen, që sqaron pse kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare janë rritur, ndërsa hyrjet e detektuara ilegale të kufijve të jashtëm janë ulur.

Mes tyre ndodhen persona nga Venecuela, Kolumbia, Honduras dhe El Salvador, por edhe Ballkani perëndimor.

Mirëpo, siç paralajmërojnë nga EASO, personat nga Ballkani perëndimor kanë më së paku shanse të fitojnë çfarëdo mbështetje apo status të azilantit.

Përqindja e pranimit të statusit azilant në BE është 33 përqind, më së shumti fitojnë sirianët me 85 përqind, jemenët me 82 përqind, eritreët me 81 përqind, derisa më së paku përqindje për pranim të azilit kanë qytetarët nga Maqedonia dhe Moldavia me 1 përqind, dhe shqiptarët me gjashtë përqind. E dobët është përqindja për pranim edhe për personat nga Venecuela dhe Kolumbia, mes pesë dhe shtatë përqind.

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut gjithashtu janë mes personave që më së shumti aplikojnë pasi të refuzohen, një e treta prej tyre aplikon për së dyti herë edhe përskaj faktit që kanë shumë pak shanse për të fituar status azilanti.