Shpresoj se fushata zgjedhore do të ketë përmbajtje, jo vetëm akuza ndërpartiake, ka porositur ambasadori gjerman në vend, Tomas Gerberih në intervistën për “Slloboden Peçat” dhe shton se nuk do ta kishte quajtur të ndyrë, por më pak të orientuar në esencën.
“Çdo palë e locon tjetrën si kriminale, flitet për ‘bomba’, por kur ata do të shpërthejnë nuk janë aq të forta që të mund të ekzistojë frikë prej tyre. Do të ishte e rëndësishme për votuesit të dinë se çfarë programi kanë partitë, në ç’drejtim duan ta çojnë shtetin në të ardhmen, në interes të qytetarëve, të vendit. Kur ajo do të ndodhë, mendoj se më shumë votues do të dilnin në zgjedhje”, thotë Gerberih i cili shton se më mirë do të ishte zgjedhjet të jenë të rregullta në vend se të parakohshme, pasi ajo është një faktor përcaktues i stabilitetit.
Lidhur me Ligjin e Prokurorisë Publike, Gerberih ka thënë se ligjet e reja në fakt nuk sjellin më shumë drejtësi, por shanset për drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit varen nga implementimi i arsyeshëm i ligjeve.
“Ligji për Prokurorinë publike nga disa vende anëtare të BE-së është vendosur si parakusht për fillimin e negociatave aderuese në sferën e reformave në gjyqësi dhe mirë që ky ligj u votua, por vetë ai nuk do të jetë i dobishëm nëse nuk zbatohet arsyeshëm. Kjo për mua nënkupton se rastet që i ka nisur ose është marrë PSP, do të propozohen te ajo e rregullt, PP dhe do të kenë epilog të arsyeshëm, rezultat të arsyeshëm dhe se njerëzit që kanë gabuar përfundimisht të ndëshkohen. Kjo patjetër të jetë sinjal i qartë deri te qytetarët se politikanët janë serioz lidhur me këtë”, ka thënë Gerberih.
Lidhur me vërejtjet e opozitës se me ligjin e ri sigurohet amnisti për politikanët e pushtetit aktual, Gerberih thotë se nëse me të vërtetë implementohet ky ligj, atëherë ajo nuk mund të ndodhë.
“Akuzat mes dy partive vijnë nga situata se politika përzihet në gjyqësi. Mu kjo është poenta, kjo duhet të ndryshohet me ligjin. Kur ka gjyqësi të pavarur, gjithçka funksionon dhe nuk është e nevojshme të përzihen politikanët dhe të thonë se ligji përdoret nga politikanët. Kjo nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Gerberih.
Në pyetjen nëse Gjermania edhe më tej është në qëndrimin se Maqedonia dhe Shqipëria të mos ndahen në vendimin e negociatave me BE-në, Gerberih ka thënë se do të ishte e dëshirueshme që me dy vendet të mund të fillojnë negociatat qasëse.
Sa u takon reagimeve të shteteve-anëtare rreth metodologjisë së re dhe sa janë gjasat që të merret datë në mars, Gerberih ka thënë se nuk ka informatë përfundimtare, por shton se negociatat në BE shkojnë në drejtim të mirë.
“Metodologjia është pranuar nga gjitha shtetet-anëtare dhe e kënaqur është edhe pala franceze, ashtu që mund të lëvizim tutje. Rruga është e lirë për fillim të shpejtë të negociatave me vendin. Unë jam optimist se në mars do të mund të funksionojë kjo nëse të gjithë pajtohen. Ne e përkrahim këtë”, ka thënë Gerberih.