Mijëra rusë marshojnë në Moskë në përvjetorin e vrasjes së Boris Nemtsov

Mijëra qytetarë kanë marshuar në Moskë dhe kanë organizuar protesta në qytete të tjera ruse, teksa kanë shënuar përvjetorin e vrasjes së Boris Nemtsov, një kritik i Kremlinit, që u vra pesë vjet më parë.

Marketing

Protestat e sotme janë më protestat më të mëdha të organizuara në Rusi që prej verës së kaluar, ku për disa javë u mbajtën protesta anti-qeveritare për shkak të zgjedhjeve lokale.

“Putini është hajdut”, “Rusia pa Putinin”, ishin disa prej sloganeve që qytetarët e mbledhur në Moskë brohoritën, teksa mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe flamuj të partisë së cilës i përkiste Nemtsov. Disa protestues mbanin pano në duar me fotografi të Nemstovit me mbishkrime “Propaganda vret”.

Në urën ku Nemtsov u vra më 27 shkurt, 2015 – që gjendet vetëm disa metra nga muret e Kremlinit – qytetarët vendosën qirinj, lule, fotografi dhe flamuj të vegjël të Rusisë.

Protestat “tani janë për lirinë në përgjithësi dhe jo vetëm për jetën e njeriu”, tha një protestuese për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, teksa vendosi një buqetë me trëndafila të bardhë, pranë vendit ku u vra Nemtsov.

Deri më tani Kremlini nuk ka reaguar lidhur me këto protesta.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Shën Petersburg, Novosibirsk dhe qytete të tjera në mbarë Rusinë. Në Vladivostov, disa qytetarë u ndaluan nga policia teksa ata po vendosnin pano për të kujtuar Nemtsovin.

Edhe në Moskë janë arrestuar disa persona, ka thënë organizata joqeveritare OVD-Info. Pesë protestues po ashtu janë arrestuar në Shën Petersburg, tha kjo organizatë.

“Nemtsov ka luftuar për Rusinë e lirë. Por, pesë vjet që prej vdekjes së tij, Rusia është bërë edhe më autoritare”, tha Assol Trubetskaja, kreu i një organizate politike në qytetin Omsk.

Boris Nemtsov, i cili një kohë kishte qenë zëvendëskryeministër i Rusisë, ishte kritikë i Putinit. Ai u qëllua për vdekje në urën Bolshoi Moskvoretsky, vetëm pak metra larg Kremlinit.

Më 2017, një gjykatë ruse dënoi një ish-oficer ushtarak çeçen me 20 vjet burgim për vrasjen e Nemtsovit. Edhe katër çeçen u shpallën fajtorë për përfshirje në këtë vrasje dhe u dënuan nga 11 deri në 19 burgim.

Por, kritikët, përfshirë familjarët dhe kolegët e Boris Nemtsov, thonë se autoritetet ruse kanë dështuar të zbulojnë se kush e ka urdhëruar këtë vrasje. Disa kanë shprehur dyshimet e tyre se vrasja është urdhëruar nga dikush që gjendet në rrethin e ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin apo të liderit çeçen, Ramazan Kadyrov.