Dhjetëra mijëra migrantë thuhet se kanë arritur nga Turqia në BE

Ministria e Brendshme e Turqisë tha sot se dhjetëra mijëra migrantë kanë kaluar kufirin turk drejt vendeve të Bashkimit Evropian, që prej se Ankaraja sinjalizoi se nuk do të ndalojë migrantët që të largohen nga territori i saj për në vendet evropiane.

Marketing

Agjencia për kufi e Bashkimit Evropian, Frontex, ka njoftuar se është në gatishmëri për t’i dërguar ndihmë Greqisë.

Paralajmërimi i Turqisë u pasua nga një njoftim i Organizatës për Migrantë të Kombeve të Bashkuara, që tha se “të paktën 13,000 persona” ishin mbledhur në kufirin ndërmjet Turqisë dhe shtetit anëtar të BE-së, Greqisë.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu përmes një postimi në Twitter tha se deri në orën 9:55, 76,358 migrantë ishin larguar nga Turqia përmes provincës Edirne drejt kufijve me Greqinë dhe Bullgarinë.

As Sofja zyrtare dhe as Athina nuk kanë konfirmuar arritjen e këtyre migrantëve në territoret e tyre.

Autoritetet greke, që janë zotuar se nuk do të lejojnë që migrantët të hyjnë në territorin grek, kanë njoftuar se kanë ndaluar 10,000 kalime ilegale të kufirit më 29 shkurt, në ditën kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se “do të hap dyert” për migrantët, që të kalojnë në vendet evropiane.

Autoritetet greke kanë përdorur gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë migrantët, që ishin në pikëkalimin kufitar në Kastanies.

Në mëngjesin e 1 marsit, Policia e Greqisë tha se “mbi 500 migrantë” kanë arritur në territorin e tyre.

Vendimi i Erdoganit për të lejuar që migrantët të largohen nga Turqia./REL