Novakovski: Komisionerët dhe mjetet financiare u takojnë partive jo koalicionëve

Pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor mes Besës dhe LSDM-së, përveç listave të përbashkëta, këto dy parti do të kenë edhe xhirollogari të përbashkët për fushatë. Kjo nënkupton se partisë së Bilall Kasamit nuk i takojnë para për zgjedhjet. Ish-kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski tha se kur të dorëzohen listat e kandidatëve, atëherë edhe koalicioni bëhet zyrtar. Mjetet që paguhen sipas numrit të votave të fituara do të paguhen në xhirollogarinë e koalicionit. Pastaj se si do të ndahen mes vete këto para, kjo është puna e tyre, tha Novakovski.

Marketing

“Listat e kandidatëve dorëzohen dhe hapet xhirollogari në emër – organizator i fushatës zgjedhore. Domethënë, nëse koalicioni e organizon fushatën zgjedhore, paratë i paguhen koalicionit, hapet xhirollogari e veçantë sipas numrit të votave të fituara”, theksoi Novakovski.

Kryetari aktual i KSHZ-së, Oliver Derkovski paraprakisht tha se në këtë rast, duke qenë në koalicion me LSDM, Besa i humb të gjitha të drejtat si parti e dytë opozitare për të propozuar në komisionet komunale dhe bordet zgjedhore. Në seancën e fundit të KSHZ-së, Derkovski ishte pak më i përmbajtur.

“Do të duhet të presim të dorëzojnë lista, nuk e dimë se si do të sillen partitë. Deri në momentin e dorëzimit të listave, është herët që të përgjigjemi. Ende nuk e dimë. Këto janë vetëm paralajmërime”, potencoi Derkovski.

Sipas Novakovskit, Besa i ka të gjitha të drejtat, për shkak se ligji thotë se pjesëmarrja në bordet zgjedhore përcaktohet sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Sa i përket kësaj, mendoj se nuk ka asnjë problem. Partitë politike i propozojnë sipas numrit të votave, se a do të jenë në pushtet apo në opozitë. Dihet se cilat janë partitë politike, koalicioni nuk është subjekt juridik. Koalicioni nuk ka lidhje me përmbledhjen e anëtarëve të bordit zgjedhor. Të njëjtët anëtarë duhet të mbeten, ashtu siç është rezultati nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Tani nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, do të dihet se kush do të propozojë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Novakovski.

Në lidhje me këtë, edhe në Kodin zgjedhor thuhet se nga një anëtar në bordin zgjedhor emërohet me propozim të partive politike që janë në opozitë dhe një anëtar propozon partia në pushtet që në zgjedhjet e fundit ka fituar më shumë vota.