Real Madrid fiton betejën ndaj Barcelonës, Vinicius lë gjurmë në historinë e El Clasico

Real Madrid ka shënuar fitore të rëndësishme në luftën për titull, duke mposhtur Barcelonën 2:0 në ‘Santiago Bernabeu’.

Marketing

El Clasico dhuroi një spektakël sidomos pas shënimit të golit, ku rastet nuk munguan.

Në pjesën e parë ishte lojë më e zbehtë, me Artur dhe Leo Messin që patën raste të arta përballë Courtois, por ky i fundit ndali goditjet e të dyve.

Reali kishte disa gjysmë raste dhe megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në gjysmën e dytë, skuadra e Zinedine Zidane dominoi gjithçka duke bllokuar Barcelonën në të gjitha pjesët e fushës.

Kjo solli edhe golin e parë të kësaj sfide. Një pasim i jashtëzakonshëm i Toni Kroos, bëri që Vinicius Junior (71’) të depërtonte dhe të realizonte për rezultatin 1:0, falë edhe devijimit të Gerard Pique.

Braziliani u bë lojtari më i ri që shënon në një El Clasico në shekullin XXI.

Deri në fund, Barca u përpoq të reagonte por Reali ishte mirë i koordinuar.

Kur pritej që takimi të përfundonte me këtë rezultat, i sapo inkuadruari Mariano Diaz (90+2’) realizoi për të vulosur fitorja e madrilenëve 2:0.

Kjo ishte fitorja e 96-të e Los Blancos, aq sa ka edhe Barcelona.

Reali tashmë ngjitet në pozitën e parë me 56 pikë, një më shumë se Barca që renditet e dyta.