Nuk ka ndryshime në kufirin jugor, vendi i gatshëm për një valë të re të mundshme të refugjatëve

Për një valë të re të mundshme refugjatësh vendi dhe institucionet janë të gatshme, pretendojnë kompetentët. Policia është vazhdimisht e pranishme në kufirin jugor, situata është e pandryshuar dhe ekziston një numër standard i përpjekjeve për të hyrë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme.

Marketing

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, situata nuk ka ndryshuar dhe ekziston një numër standard i përpjekjeve për hyrje të paligjshme në vendin tonë.

“Qytetarët nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen. MPB, gjegjësisht policia jonë është e gatshme dhe vazhdimisht e pranishme në kufirin jugor. Punonjësve tanë policor tashmë disa vite u ndihmojnë edhe punonjës policor të disa vendeve mike dhe me forca të përbashkëta po merremi me të gjitha përpjekjet kundër hyrjeve të paligjshme”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bujar Osmani theksoi se vendi është i gatshëm të merret me një fluks të mundshëm refugjatësh nga Siria, por në koordinim me FRONTEKS dhe vendet anëtare të BE-së.

Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me vendet anëtare të BE-së dhe me partnerët tanë po e monitorojmë situatën që nga momenti që filloi kjo çështje të ndizej. Institucionet tona janë të gatshëm të merren me një valë hipotetike të refugjatëve, por ai koordinim është më shumë në koordinim me FRONTEKS-in dhe me vendet anëtare të BE-së që ne ndajmë një politikë të përbashkët në raport me refugjatët”, deklaroi Osmani.

Dje u zbuluan 78 emigrantë në lagjen e Shtipit “Tri çezmat” në rrugën në ndërtim Shtip – Koçani në një automjet me targa të Shkupit, të drejtuar nga 46-vjeçari S.P. bashkëdrejtuesi i tij ishte 32-vjeçari T.R. të dy nga Velesi, të cilët paraprakisht nuk ishin ndalur në shenjë policie.

Mijëra migrantë janë në kufirin greko-turk, pas njoftimit të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan se do të hapë kufirin dhe do t’u lejojë emigrantëve të hynë në Evropë. Dje në kufirin greko-turk në Evros janë regjistruar rreth 5.500 pengesa për hyrje në Greqi të emigrantëve të paligjshëm.

Pas kërkimit të ndihmës shtesë nga Greqia, Agjencia Evropiane e Rojës Bregdetare (FRONTEKS) ka vendosur përforcime. Niveli i alarmit në kufirin greko-turk është ngritur, ndërsa FRONTEKS-i e ka ngritur edhe nivelin e paralajmërimit për të gjitha kufijtë drejt Turqisë.

Emigrantët e mbledhur në zonën neutrale në vendkalimin kufitar midis Greqisë dhe Turqisë, por në anën turke, dje e sulmuan policinë greke, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shok bomba.

Situata në kufirin bullgar-turk ishte dje e qetë, ndërsa qeveria bullgare pretendon se asnjë emigrant ilegal nuk e ka kaluar atë.

Mbështetje për Greqinë dhe Bullgarinë për trajtimin me krizën e refugjatëve mbrëmë përmes Tuiterit shprehu edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Qëndrojmë pranë fqinjëve tanë Greqisë dhe Bullgarisë, pasi ato po përballen me një situatë shumë të vështirë. Kufijtë e tyre kombëtarë janë gjithashtu kufij evropianë dhe zgjidhja do të duhet të jetë edhe evropiane: angazhim i përbashkët dhe solidaritet i plotë!, ka shkruar Dimitrov në Tuiter.