Në raportin e përditësuar Komisioni Evropian (KE) vlerëson se Maqedonia e Veriut ka arritur rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në sferat kyçe. Komisioni gjithashtu thekson se mbetet i vlefshëm rekomandimi ndaj Këshillit Evropian që të hapë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Raporti i përditësuar i cili bashkë me metodologjinë e zgjerimit të BE-së pritet të shqyrtohet në takimin e Këshillit Evropian në mars, është fokusuar në reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, reformat në shërbimet e sigurisë dhe ato në administratën publike.
Sa i përket reformave në gjyqësor, Komisioni thekson se janë ndërmarrë hapa serioze për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në linjë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira. Nënvizohet se në dialog me Komisionin Evropian vendi ka miratuar dhe ndryshuar ligje të rëndësishme si: Ligjin mbi Prokurorinë Publike, Kodin penal, Ligjin mbi gjyqësorin, Ligjin mbi Këshillin gjyqësor, Ligjin mbi Këshillin e Prokurorëve dhe të tjera.
Amendamentet në Ligjin për Akademinë për gjykatës dhe prokuror janë gati për miratim nga Parlamenti i ardhshëm. Është ngritur padia e parë për zgjidhjen e keqpërdorimeve në sistemin elektronik për shpërndarjen e lëndëve në gjyqësor, AKMIS – thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Evropian nënvizon se vendi ka forcuar kornizën ligjore për luftën kundër korrupsionit dhe ka vazhduar hetimet për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Në vitin 2019 Prokuroria Publike për Krim të organizuar ka hapur 9 lëndë të reja, që përfshijnë 52 të dyshuar. Në vitin 2019 janë paditur 38 persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përfshirë ish ministrin e Transportit, noterë, administratorë dhe zyrtarë të tjerë publik. Janë ngritur çështje serioze me të a.q. rasti “Reket”, 1 person është dënuar me 3 vjet burg dhe rasti vazhdon për dy të akuzuar të tjerë – thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.
Përmes raportit të përditësuar, Komisioni Evropian e njofton Këshillin Evropian me situatën në të gjitha rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike e të cilat kanë kaluar në Prokurorinë Publike, duke shtuar se pas arrestimit të ish kryeprokurores speciale dhe skadimit të mandatit të prokurorëve special ka ngecje në disa procedura. Kështu, disa raste janë vjetërsuar e të tjera do të duhet të rifillojnë. Sipas Komisionit është e rëndësishme që Komisioni për Parandalim të Korrupsionit në vazhdimësi ndërmerr aksione mbi çdo akuzë për nepotizëm ose punësim pa meritë, por ndonëse ka ngritur 66 raste akoma nuk janë zgjidhur të gjitha.
Komisioni poashtu vlerëson progres në luftën kundër krimit të organizuar, me numër të rritur të hetimeve lidhur me grupe të organizuara kriminale. KE-ja vlerëson pozitivisht ndarjen e Agjencisë për Siguri Kombëtare nga Ministria e Brendshme dhe heqjen e autorizimeve policore për të punësuarit e saj. Sipas KE-së është rritur transparenca e administratës publike përmes Strategjisë së Transparencës 2019-2021, përmes publikimit të të dhënave mbi financat publike. Ndryshe, edhe raporti i përditësuar për Shqipërinë është pozitiv. Andaj Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi pret që edhe Këshilli Evropian të vendos pozitivisht për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.