Kriza në Siri: Rriten tensionet midis Rusisë dhe Turqisë pas operacionit ushtarak në Idlib

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë vazhduan të thellohen të dielën edhe më shumë pasi të dy vendet u afruan më pranë konfrontimit të hapur në veri-perëndim të Sirisë.

Marketing

Ndërkohë, në veri-perëndim të Sirisë, një aktivist përshkroi përmirësimin e kushteve humanitare ndërsa forcat e regjimit e gjejnë veten në mbrojtje përballë një sulmi turk.

“Tani situata është bërë më e mirë se më parë”, tha Mustafa Dahnon, një gazetar në qytetin Idlib. “Kjo ka ndodhur për arsye se fraksionet ushtarake arritën të rimarrin kontrollin e fshatrave dhe qyteteve. “Në të kaluarën, regjimi ishte shumë afër qytetit Idlib. Tani ata janë shtyrë prapa”, u shpreh ai.

Zhvillimet e shpejta të së dielës erdhën pas vrasjes së të paktën 33 ushtarëve turq në një sulm ajror të regjimit sirian në provincën Idlib të enjten. Sulmi bëri që Ankaraja të përshkallëzojë në mënyrë dramatike sulmet ndaj forcave ushtarake besnike ndaj presidentit Bashar al-Asad dhe të hapë kufijtë e saj për në Bullgari dhe Greqi për refugjatët që dëshirojnë të shkojnë drejt perëndimit, shkruan The Independent.

Të dielën më 1 mars, Turqia goditi dy avionë luftarakë të regjimit sirian të prodhuara në Rusi, mbi veriperëndimin e kontrolluar nga opozita e vendit dhe e bëri të padobishëm një bazë ajrore të regjimit pranë qytetit të Nayrab, sipas mediave turke. Damasku pretendoi se e rrëzoi një dron turk afër qytetit të Saraqeb. Ministri i mbrojtjes i Turqisë, Halusi Akar, të dielën njoftoi nisjen e operacionit ‘Mburoja e Pranverës’, që synon të tërhiqte forcat e Asadit nga pozicionet e Turqisë në Idlib.

“Ne nuk synojmë të kemi një përballje me Rusinë”, theksoi Akar. “Qëllimi ynë është që regjimi sirian të ndalojë masakrat dhe të parandalojë radikalizimin dhe migracionin”. Akar u shpreh se ofensiva turke ka si objektiv shënjestrimin e pasurive të regjimit Asad që përbëjnë një kërcënim për interesat turke në veri-lindje të Sirisë.

Turqia ka filluar prej disa ditësh sulmet në pozicionet e regjimit sirian me artileri dhe sulme ajrore, duke pretenduar se ka “neutralizuar” disa drone dhe helikopterë, si dhe dhjetëra tanke, izolues, disa sisteme të mbrojtjes ajrore dhe 2.212 ushtarë të regjimit. Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Turqisë patën një bisedë telefonike të dielën e 1 marsit përpara një takimi të mundshëm midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan presidentit rus Vladimir Putin më 5 ose 6 mars.

“Ministrat folën në favor të marrjes së masave për krijimin e një mjedisi të favorshëm që kontribuon në efektivitetin e dialogut për zbatimin e marrëveshjeve në mbështetje të një zgjidhjeje siriane”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga ministria e jashtme ruse.

Ndërkohë Turqia arrestoi tre gazetarë që punonin për faqen e Sputnik të operuar nga Kremlini pasi ajo publikoi një pjesë që vinte në dyshim aneksimin turk të një pjese të Sirisë rreth tetë dekada më parë. Gazetarët u lanë të lirë pas bisedave mes diplomatëve të lartë.