Koalicioni i LSDM-së me Lëvizjen Besa dhe tani paralajmërimet edhe me PDSh-në, janë vendime autonome të partive të cilat kanë të drejtën e tyre të ndërtimit të strategjive zgjedhore, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me kryetarin e parlamentit të Austrisë, Volfgang Sobotka. Ahmeti thotë se BDI do të garojë e vetme, pasi ende nuk janë krijuar kushte që interesat etnike të artikulohen nëpërmjet partive qytetare.
“Këto janë politika të brendshme të partive politike, secila parti ka autonominë të ndërtojë strategji. BDI ka ndërtuar strategjinë e vet mbi bazë të përvojave dhe ka vlerësuar se duhet të dalë e vetme në zgjedhje. Në këtë vend akoma janë të organizuar partitë por edhe psikologjia e ndërtimit është që përfaqësimi mund ta bëjnë partitë etnike. Mbetet një qëllim në të ardhmen për të ndërtuar parti qytetare, parti mbi baza ideore. Është e vërtetë që ne akoma nuk i kemi këto parti mbi baza ideore përderisa kemi edhe dallime në shoqëritë tona.”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.