Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës u është drejtuar mësimdhënësve dhe udhëheqësve të shkollave me një letër ku thuhet se mësuesve u ndalohet të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars.
Komuna thotë se 7 marsi duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara.
“Dita e Mësuesit duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara në procesin edukativo-arsimor, por edhe si moment vlerësimi për rezultatet e arritura”, thuhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.
Në shkresë gjithashtu thuhet se në të kaluarën mësuesit janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit duke e ngarkuar buxhetin modest të prindërve të fëmijëve për 7 dhe 8 mars. Ndërsa sot, pranimi i dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar.
“Në të kaluarën, këto dy data të rëndësishme, më shumë janë perceptuar si ditë kur mësimdhënëset e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, sidomos edukatorët dhe mësueset e nivelit 0 dhe 1, janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit, duke ngarkuar buxhetin edhe ashtu shumë modest të prindërve të fëmijëve tanë”.
“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës fton të gjithë prindërit që mos të investojnë në dhurata të ndryshme, përveç luleve dhe paralajmëron drejtorët e shkollave se dukuria e marrjes së dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar”, thuhet në shkresën e Komunës.
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës premtoi se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim.
“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, uron të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar për këto dy data të shënuara dhe premton se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim”, përfundon shkresa.