Linjat ajrore në botë mund të humbin më shumë se 100 miliardë dollarë të ardhura këtë vit, për shkak të rënies së kërkesës për udhëtime, si pasojë e frikës nga koronavirusi.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror vlerëson se humbjet e mundshme do të variojnë nga 63 miliardë dollarë në 113 miliardë.
Ekonomistri kryesor i Shoqatës, Brian Pearce, tha se ka shumë kompani që kanë borxhe dhe se gjendja e tanishme mund të shkaktojë shumë vështirësi për to.
“Po shohim rënie serioze të prenotimeve dhe të të ardhurave tani që koronavirusi është përhapur më gjerësisht”, tha ai.
Shpërthimi i koronavirusit ka lëkundur edhe tregjet globale.
Aksionet në SHBA kanë rënë më shumë se 3 për qind të enjten, pas disa ditëve të humbjeve të ngjashme në javën e kaluar.
Koronavirusi ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë dhe tani është përhapur në më shumë se 80 vende të botës.
Mbi 3,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë infektuar.