Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, presidenti aktual Aleksander Vuçiq, ka rrethana më të përshtatshme për arritjen e një marrëveshjeje me Republikën e Kosovës, shkruan N1.
Tadiqi, ka zbuluar se gjatë kohës sa ka qenë në krye të shtetit serb, ishte provuar që të imponohej një marrëveshje Prishtinë-Beograd, por që thotë se e ka refuzuar.
Ish-presidenti serb ka thënë se nuk ka mundur ta pranonte një marrëveshje të tillë që ishte propozuar, duke thënë se “nuk mund të lejojë të humbim në paqe, diçka që se kemi humbur me luftë”.
Megjithatë Tadiqi thotë se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet dhe se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me patjetër, në të kundërtën thotë se Serbia do të bllokojë rrugën e vetë të integrimit dhe zhvillimit.
Në këtë intervistë, ish-presidenti serb ka folur edhe për Qeverinë e re në Kosovë, që drejtohet nga Albin Kurti.
Sipas tij, lideri i VV-së është një politikan që karakterizohet me një energji të madhe dhe me një fanatizëm politik, ndërkohë thotë se ka mungesë përvoje në drejtimin e institucioneve.
Sipas tij një mungesë e tillë përvoje e Kurtit ndihmon Aleksander Vuciqin që të marrë frymë më lirshëm, meqë tashmë presioni ndërkombëtar është mbi Prishtinën e jo mbi Serbinë.