Në 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varrezat e jasharajve në Prekaz, ndërsa më pas vizituan edhe familjen Jashari ku u pritën nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari. Kjo familje është themeli i shtetësisë së Kosovës thanë dy krerët e shtetit të Kosovës.
“Jo vetëm në këto data, por në çdo ditë, në çdo moment duhet ta përkujtojmë këtë sakrificë e cila i ka vënë themelit edhe atë jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë dhe të njëjtën kohë ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, duke e bërë të ditur para syve të botës demokratike, se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb.”,- tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Për të bërë homazhe të varret e jasharajve, të kësaj familje e cila ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Ne e kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi.”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Homazhe ka bërë edhe Bekim Jashari djali i Hamzë Jasharit, njëherit edhe kryetar i komunës së Skenderajt.
“Duke i nderuar me respektin më të lartë dëshmorët e vendit tonë dhe duke u ndjerë krenarë me veprat e tyre, por duke u zotuar dhe duke marrë forcë dhe kurajo që ne të bashkuar dhe që të ecim përpara në rrugën e drejt dhe të pastër të vendit tonë, ashtu siç deshën ata.”,- theksoi kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Në këtë 22 vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe qytetarë të shumë iu drejtuan Prekazit për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.