BESA do të padisë drejtorin e ASHMA-së, Derkovski u kërkon partive politike të merren vesh për minutat e reklamimit

Deri në mesnatë katër partitë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë pasur më së shumti vota, duhet që në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të dorëzojnë propozimet e tyre për Këshillat zgjedhorë. Kreu i KSHZ-së konfirmon se për këtë kërkesë i kanë dërguar VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Besa. E i pyetur nëse të njëjtat parti do të ndajnë së bashku 90% të mjeteve për reklamim televiziv, Oliver Derkovski me përgjigje: “Kjo nuk është kompetenca jonë dhe reklamimi politik rregullohet me Kod Zgjedhor, siç shkruhet, unë shpresoj se do të ulet dhe të merren vesh se kush e si do ta ndajë hapësirën ashtu siç e kanë bërë edhe në të kaluarën. Në asnjëherë s’kemi caktuar kush, sa, kujt”.

Marketing

E nëse Derkovski thotë se kjo s’është kompetencë e KSHZ-së, TV21 nga burime të tij merr vesh se javën e ardhshme do të jetë pikërisht KSHZ që do të sjellë rregullore për zbatimin e nenit 75 dhe 76 ku që kanë të bëjnë me televizionet dhe mënyrën e pagesës për mediat e shkruara dhe portalet.

E nga ana tjetër, dy ditë më parë përmes një draft-udhëzuesi Agjencia e mediave audiovizive kërkoi që “në maksimum 4 minutat dedikuar për dy partitë më të mëdha opozitare, të emitohet reklamim i paguar politik i partisë më të madhe në opozitë ose koalicionit të saj për Zgjedhjet Parlamentare të 2020-tës”. Kjo nënkupton që minutat e parapara për dy partitë opozitare, tanimë t’i takojnë vetëm VMRO-DPMNE-së si parti më e madhe opozitare, e jo edhe Lëvizjes Besa, që tashmë ka lidhur koalicioni parazgjedhor me partinë në pushtet LSDM-në.

Për këtë draft-udhëzues drejtuesi i ASHMA-së Zoran Trajçevski dhe Kryetari i Këshillit Llazo Petrushevski me shumë gjasa do të përballen me padi penale nga ana e Lëvizjes Besa.

“Po është e vërtetë se Lëvizja Besa do të ngre një padi penale edhe ndaj drejtorit Trajçevski por edhe ndaj Kryetarit të Këshillit i cili e ka propozuar një draft-udhëzues dhe për herë të parë ndodh një precedent në Maqedoninë e Veriut që udhëzuesit të jenë akte më të larta juridike se sa ligjet. Unë besoj se kjo punë në KSHZ do të rregullohet shpejtë. E drejta që i takon Lëvizjes Besa i takon Lëvizjes Besa në reklamim”, theksoi Arjanit Hoxha, sekretar gjeneral i Lëvizjes BESA.

I pyetur për këtë, Drejtori i ASHMA-së Zoran Trajçevski nuk na u përgjigj.

Ditë më parë edhe Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari kërkoi që partisë së tij t’i takojë anëtari i Këshillit zgjedhor si dhe minutat për reklamim televiziv të Lëvizjes Besa. Këtë ai e bazoi duke thënë se Besa tashmë është në koalicion me partinë në pushtet LSDM-në dhe se është paradoksale që dy parti koalicioni të ketë dy anëtarë në këshill zgjedhor ndërsa besa të ketë minutat e reklamimit si opozitë duke qenë në koalicion me një parti në pushtet./TV21