Dueli më interesant i javës së 22-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, do të luhet nesër në Tetovë, ku Renova do të jetë nikoqire e Vardarit, skuadër kjo që mban kreun e tabelës.
Edhe pse Renova është në pjesën e poshtme të tabelës, në ndeshjet e fundit ka treguar se është ekip që mundë të befasojë të gjitha skuadrat. Pikërisht në vigjilje të kësaj përballje, ka folur mbrojtësi Saimir Fetai i Renovës, që mes tjerash ka thënë se do ta presin të përgatitur liderin e tabelës.
“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, pavarësisht kundërshtarit. Nuk diskutohet që do të jetë vështire kundër liderit të tabelës, por ne si ekipi ndeshjen do ta presim të përgatitur maksimalisht dhe shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka deklaruar Saimir Fetai.
Renova në këtë përballje futet pas fitores në kampionat ndaj Shkupit në Çair me rezultat 2-3, ndërsa u mund nga Struga në ndeshjen çerekfinale të Kupës 2-1. Ndërkohë skuadra e Vardarit nuk kishte angazhim në kupë, pasi ishte eliminuar më herët, ndërsa në ndeshjen e fundit në kampionat luajti baras në shtëpi me Rabotniçkin.