Papa Françesku do ta shpërndajë meshën e kësaj të diele përmes një videoje online dhe jo përmes dritares së vogël të Vatikanit, për të evituar në këtë mënyrë grumbullimin e njerëzve, ndërkohë që Vatikani ka raportuar të prekurin e parë na koronavirusi.
Nga ana tjetër edhe për vetë Papën u njoftua një gjendje jo e mirë shëndetësore, por e shkaktuar prej të ftohtit, sikurse është konfirmuar më pas. Numri i të vdekurve në Itali ka shkuar në 197, ndërsa mediat raportojnë 49 viktima në 24 orë.
Situata e shkaktuar nga koronavirusi në të gjithë botën mbetet problematike, ndërsa numri i viktimave ka mbërritur në 3,500.
21 persona janë konfirmuar të prekur në një anije që po mbahet në brigjet kaliforniane, ndërkohë që në Britaninë e Madhe numri i të prekurve ka mbërritur në 206. Franca thotë se edhe dy persona të tjerë kanë humbur jetën duke shënuar kështu 11 viktima, ndërsa mediat spanjolle raportojnë se të paktën 60 persona kanë rënë në kontakt me virusin gjatë një funerali, rreth një javë më parë. Numri i vdekjeve në këtë vend ka shkuar në 10.
Megjithatë pikat më të nxehta të virusit, mbeten në Itali dhe Iran. Irani ka konfirmuar 6,000 raste dhe 145 viktima.