Kosova ka përkujtuar epopenë e luftës së UÇK-së, në 22 vjetorin e vrasjes së Adem Jasharit dhe 58 anëtarëve të tjerë familjes së tij.
Me natën e zjarreve, një aktivitet që është mbajtur në Prekaz, në kujtim të luftës dhe veprimtarisë së anëtarëve të UÇK-së, janë ndezur flakadanë dhe pishtarë zjarri në të gjithë zonën.
Sulmi
Sulmi mbi kullën e Jasharajve, nisi më 5 Mars të vitit 1998 dhe përfundoi më 7 Mars, me vrasjen e 59 anëtarëve të familjes, përfshirë edhe fëmijët. Forcat serbe i kishin rrethuar me tanke, armatim të rëndë e madje edhe helikopterë, pas dy dështimeve të mëparshme për të eleminuar Adem Jasharin. E vetmja e mbijetuar nga ky sulm, ishte Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit.
Besarta Jashari ne kohen e ngjarjes
“Kanë hyrë forcat serbe dhe kanë prekur secilin familjar duke shikuar a janë të vdekur. Ata kanë marrë armët e bacit Adem dhe kanë lozur me to. Kur kanë ardhur tek unë kanë parë që jam e gjallë dhe më kanë marrë e më kanë nxjerrë jashtë. Aty kishte qenë e shtrirë e vdekur motra ime Blerina”.
Në rrëfimet e saj mbi ngjarjen Besarta ka treguar tmerrin e përjetuar, kur ajo ishte ende fëmijë. Sipas kujtimeve të saj, i pari që kishte rënë duke luftuar me ushtrinë serbe më 7 mars kishte qenë Adem Jashari, e më pas, babai Hamza dhe gjyshi, pasi ata tre ishin në një dhomë, ndaras nga pjesa tjetër e familjes.
Kulla e Jasharajve
“Pas vrasjes së tyre, tanket kanë filluar të afrohen edhe më shumë te shtëpia jonë. Ato kanë filluar të gjuajnë në drejtim të dhomës sonë, pasi nga kjo dhomë djemtë tonë ishin vazhdimisht duke gjuajtur me armë në drejtim tyre. Ata filluan më pas të bombardojnë dhomën tone. Momentin e fundit kemi mbetur gjallë unë, motra Blerina, Kushtrimi dhe Hidajetja – vajza e Rifatit. Unë kam dalë nga dhoma për të parë mos janë larguar serbët. Sapo kam dalë nga dhoma serbët kanë filluar të gjuajnë në drejtim timin dhe jam kthyer në dhomë. Kam pyetur Hidajetin se ku është Kushtrimi, por mu përgjigj se ai ka dalë pas meje dhe nuk u kthye. Më vonë nëpër foto kam parë se Kushtrimi është vrarë në oborr”, ka rrëfyer Besarta.