1.2 ton drogë është kapur në Greqi. Mësohet se sasia e drogës kishte ndjekur itinerarin Turqi-Shqipëri-Greqi.
Mediat helene shprehen se operacioni për kapjen e sasisë së lëndës narkotike në Athin është zhvilluar ditën e shtunë, por është publikuar sot.
Raportohet se rulota ka kaluar pikën kufitare shqiptare të Qafë-Botës dhe më pas është futur në Greqi.
Ka qenë anti-droga e Igumenicës, në bashkëpunim me atë të Athinës, që ka ndaluar rulotën në kryeqytetin grek, ku gjatë kontrollit është zbuluar sasia e madhe e drogës, përkatësisht 1 ton e 145 kg marijuanë, 4 kg e 68 gram hashash çokollatë, si dhe 918 gram vaj hashashi.
Vlera e sasi së drogës së kapur shkon në 1 milionë e 730 mijë euro. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar dy drejtuesit e rulotës, përkatësisht burrë e grua, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Mediet greke kanë publikuar pamjet e operacionit, ndërsa nuk dihet ende identiteti dhe kombësia e të arrestuarve.