Konflikti turko-grek zgjerohet edhe në rrjetet sociale

Grekët dhe turqit janë duke luftuar me njëri-tjetrin nëpër rrjetet sociale, përmes fotografive, videove dhe komenteve të ndryshme, me qëllim të raportimit të qasjes së keqe të anës tjetër, në krizën me migrantë që veçse ka tensionuar marrëdhëniet në mes të Athinës dhe Ankarasë.

Marketing

Mesatarisht, 35,000 migrantë nga Lindja e Mesme, Afganistani, Pakistani dhe vendet tjera, kanë tentuar të hyjnë në Greqi, vend anëtar i Bashkimit Evropian, prej kur Ankaraja ka thënë më 28 shkurt se nuk do të mbajë më migrantët në territorin e vet, siç i kërkohet me një marrëveshje të Bashkimit Evropian të vitit 2016, në këmbim të ndihmës financiare.

Greqia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topi uji për t’i kthyer mbrapsht migrantët.

Në rrjetin social, Twitter, grekët kanë përdorur shprehjet, “grekët nën sulm” dhe “grekët mbrojnë Evropën”, përderisa ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, sikur edhe shumë turq tjerë kanë përdorur shprehjen “Greqia sulmon refugjatët”, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Një video që ka qarkullur nëpër rrjetet sociale të hënën ka shfaqur një kamion në anën greke, për të cilën përdoruesit e rrjeteve sociale në Turqi kanë thënë se ka shpërndarë armë kimike.

Turqia tashmë strehon mbi 3.7 milionë refugjatë sirianë dhe emigrantë nga vendet tjera të Lindjes së Mesme.

Në javët e fundit edhe gati 1 milion sirianë i janë afruar kufirit turk nga provinca Idlib e Sirisë për shkak të luftimeve të ashpra atje në mes të rebelëve anti-qeveritarë që mbështet Turqia dhe forcave qeveritare siriane nga Rusia.